Në aksidentin masiv që shkaktoi urbani i Unazës së Re ditën e djeshme në Tiranë, u përfshi edhe një mjet “Porsche”. Drejtuesi Kaljon Aleksi, thotë se pjesa më e rëndë e këtij aksidenti ishte se e akuzuan vetëm për faktin se kishte makinë të mirë. Ai tregon sesi ndodhi dinamika e aksidentit.
“Ndalova në semafor dhe ndjeva një goditje të fortë nga pas. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi, u ngrit pjesa e pasme e makinës dhe u shtyva në drejtim të pemës, te stacioni i autobusit. Instinktivisht shkela frenat, por ishte e pamundur të frenonte makina nga inercia. Kur ktheva kokën pas, pashë xhamin e autobusit që më goditi makinën e më pas nuk mbaj mend”.
Po ashtu drejtuesi i Porsche, theksone dhe se vajza që ishte në stacion shpëtoi për faktin se makina e tij është e lartë. “Për fat nuk e futi poshtë vajzën, por e ngriti dhe e shtyu përpara”.
Sipas tij, pjesa më e rëndë për të ishte pjesa e akuzave publike që u bënë menjëherë pas aksidentit. “Njerëzit po thonin që Porsche shkaktoi aksidentin, pati mallkime, shfryrje dhe “kryqëzime”, vetëm për faktin se ishte makinë Porsche. Gjithçka lidhet me kohën e komunizmit mendoj. Kam sakrifikuar çdo ditë për të arritur suksesin. Mediat ofrojnë për publikun atë që i serviret, por shyqyr Zotit që pasi panë videon më të qartë, e ndryshuan lajmin”.
