45 minuta, kaq ishte koha që kryeministri Edi Rama foli në seancën plenare dedikuar tij dhe çështjes McGonigal. Pasi iu përgjigj akuzave se emri i tij përmendet 14 herë në aktakuzën, kreu i qeverisë u largua nga seanca plenare. Pasi argumentoi se janë raste të vërteta por jo krime, kryeministri Edi Rama i ka bërë të ditur opozitës se më të do të takohen tashmë vetëm më 14 maj.
“Asgjë e hatashme, asgjë e qortueshme nuk thuhet në këtë aktakuzë. Ajo nuk thotë asgjë, zero, as për mua, as për qeverinë shqiptare as për këdo tjetër që ka takuar personi, as për shtetin shqiptar. Këtu tani rrugët ndahen më shumë dhe më qartë se askund tjetër. Unë në punët e mia, ju në rrugët tuaja të revolucioneve”,–tha Rama.
Siç la të kuptohet edhe më herët gjatë fjalës së tij, Rama nuk do të ketë më asnjë përballje me opozitën, përpos atyre që do të bëhen në kuadër të zgjedhjeve lokale në pranverë.
“Takohemi më 14 maj. Suksese në jetë, deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punën”,- tha Rama ndërsa mbyllja e fjalimit të tij u shoqërua me duartroktije nga deputetët socialistë në sallë.

