Të paktën 17 persona u vranë, dhjetëra u plagosën dhe mijëra u evakuuan nga distrikti Tanah Merah në kryeqytetin indonezian Xhakarta pas një zjarri në një magazinë karburanti në pronësi të kompanisë shtetërore Pertamina.
Mes viktimave janë edhe dy fëmijë. Rreth 42 persona u shtruan në spital. Të evakuuarit u vendosën në ndërtesat e pushtetit lokal dhe në xhami.
Depoja e karburantit të Pertamina ndodhet në lagjen me popullsi të dendur Tanah Merah në veri të Xhakartës. Kompania përbën 25% të nevojave të Indonezisë për karburant.
Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit të zjarrit. Të dhënat paraprake tregojnë se zjarri ka ndodhur gjatë reshjeve të dendura dhe një tub është dëmtuar, ndoshta si pasojë e një goditje rrufeje. Pati disa shpërthime dhe zjarri u përhap në shtëpitë përreth.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë Dudung Abdurachman raportoi se zjarri është shuar. Në aksion morën pjesë rreth 260 zjarrfikës dhe 52 makina zjarrfikëse.
Ministri i Ndërmarrjeve Shtetërore Erick Thohir shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjet e tyre dhe njoftoi një hetim.