Real Madrid nuk e diskuton për asnjë moment kualifikimin në çerekfinalen e Champions League por në shtëpi u tregua një skuadër më e matur dhe e kujdesshme, duke mos i shkaktuar shumë plagë Liverpoolit pas fitores 5-2 në “Anfield Road”.
Skuadra e Jurgen Klopp nuk bëri asgjë për të kundërshtuar diktatin e “mbretërorëve” të cilët kontrolluan dhe fituan edhe sfidën e kthimit me binomin e zakonshëm, Vinicius jr-Benzema ku Topi i Artë shënoi golin e vetëm të mbrëmjes së bardhë të Madridit.
Një kopje e shëmtuar e finales së sezonit të kaluar pasi edhe në sfidën e kthimit “The Reds” nuk bënë asgjë dhe u duk se zbritën në fushë të dorëzuar edhe për shkak të humbjes së thellë në shtëpi.
Me këtë fitore, Real Madrid hedh një tjetër hap drejt fundit të kompeticionit edhe pse tashmë duhet të mesojë emrin e rivalit të mundshëm që do të dalë nga shorti i së premtes në Nyon ku do të ketë 7 alternbativat që janë; Napoli, Inter, Manchester City, Milan, Bayern Munchen, Chelsea dhe Benfica.