Drejtori i ARRSH-së (Autoritetit Rrugor Shqiptar) Evis Berberi ka folur sot në studion e Klan News për punimet që po kryhen për Korridorin e 8-të dhe aksin Elbasan-Qafë Thanë.
Berberi u shpreh se punimet për segmentin rrugor Elbasan-Qafë Thanë po ecin me ritme të shpejta, duke theksuar se do të ndërtohen rrugë me 4 korsi.
“U bë një projektim për segmentin nga Elbasani në Qafë Thanë dhe kanë nisur punimet në segmentin e parë prej 5 kilometrash, kemi kryer 25% të volumit të punës dhe jemi gati për fazën e dytë. Janë rrugë me katër korsi, me shpejtësi lëvizje minimalisht në 90 km/h. Ne ndryshe nga Maqedonia e Veriut s’kemi korsi emergjente, sepse nuk e mundëson relievi, por kemi dalje më të shpeshta. Ka nisur puna në Shtator, është me ritme të mira, nuk kishim shumë reshje dhe kjo gjë na ka favorizuar. Në total sipas projektit janë 50 kilometra, por ne kemi vendosur të bëjmë një pikë të re kufitare, në zonën e Rrajcës, na kursen ne diku te 10 km, shmanget Qafë Thana, dhe po prapë te Maqedonia e Veriut kursehen 10 km. Kemi dhe pikën e Qukësit, ku do bëhet shpërndarja për të shkuar në Qafë Plloqë, dhe për ata që duan të shkojnë në Pogradec përdorin rrugën ekzistuese për shkak të trafikut.”
Ai tha se për një korridor funksional në të dyja krahët e kufirit është parashikuar që punimet të përfundojnë në vitin 2027-2028.
“Ne jemi të mendimit që 2027-2028 do të jetë periudha kur do mbarojnë segmentet, në takimet e radhës do vendosim se ku do të jetë pika dalëse kufitare. Për një Korridor të 8-të funksional në të dyja krahët e kufirit, 2027 mund ta kapim. Gjithë Korridori i 8 qendrën e ka në Portin e Durrësit. I gjithë segmenti është i projektuar, është nënshkruar kontrata për tenderin e parë, shumë shpejt do të hapim punimet për fazën e dytë, në Korrik shpallim garën e tretë për segmentin e tretë, paralelisht me këtë kemi bërë kontratën për Bypassin e Elbasanit pasi për të shkuar nga Tirana atje do pak kohë, por për të dalë duhen diku 40 minuta. Bypassi do kalojë në krah të zonës së re, do hapim garën për segmentin Elbasan-Lekaj me 4 korsi.”
Për Berberin, Korridori i 8-të është një “frymëmarrje” e madhe për ekonominë shqiptare dhe se punimet nisën me buxhetin e shtetit. Por, ai shtoi se ARRSH do të aplikojë për mbështetje në disa institucione që do të jenë të gatshme për financim.
“Ne e nisëm Korridorin e 8 me fondet tona, është një frymëmarrje shumë e madhe për ekonominë shqiptare dhe e nisëm me buxhetin e shtetit, kemi aplikuar dhe për Bypassin e Elbasanit, por ne do aplikojmë në disa institucione që do jenë të gatshme për të na financuar. Deri tani jemi në fazë të mirë, pritshmëritë janë që të vijojmë me këtë ritëm. BE e mbështet nismën dhe janë të gatshëm nëpërmjet këtij aksi të lëvizin automjetet e tyre, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht të investojnë në infrastrukturën e shtetit tonë.”
Edhe për Korridorin Blu, drejtori i ARRSH-së tha se punimet janë në ritme shumë të mira.
“Korridori Blu që është ndër më të gjatat, pasi kalon në gjithë vijën bregdetare të Ballkanit, sot për sot po punohet me ritme shumë të mira, ndërkohë jemi në fazën e përgatitjeve për të nënshkruar kontratë për 3 segmente të tjera.”