Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot në Lushnje, ku prezantoi kandidatin e tij për këtë Bashki në zgjedhjet lokale, Eduart Sharka.
Ndërsa e cilësoi 14 majin një dië që do të ndajë historinë, ai iu bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë gjithçka për të ndaluar shkretimin dhe rrokullisjen e madhe të Shqipërisë.
“14 maji është një datë që ndan historinë. Pas 32 ditësh jeni të ftuar të votoni kandidatin që keni zgjedhur me votë të lirë, që nuk e ka emëruar as kryetari as kryesia. Duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë e të ndalim katastrofën e shkretimit e kombit e vendit tonë. Në 8 vite nga Shqipëria kanë emigruar në BE 937 mijë shqiptarë. Me këto ritme në 16 vite nuk dihet kush do ngelet në Shqipëri Nuk ka popull në botë që e di më mirë çdo të thotë monizëm, e kaluam për gjysmë shekulli. Sot kemi një njeri i cili ka në duar çdo pushtet, ka pushtet më shumë se Ramiz Alia në 1991. Kemi në pushtet një njeri i cili prodhon nga mëngjesi në darkë vetëm keqësi e negativitet për shqiptarët. kemi një qeveri në të cilën të drejtat e qytetarëve shkelmohen. Çdo socialist i ndershëm dhe qytetar i ndershëm duhet të bashkohet me ne”, ka deklaruar ai.