Në fokus të takimit të kryeministrit Edi Rama me homologun e tij britanik, Rishi Sunak, ishin retorika politike e zyrtarëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe shqetësimi për emigrantët e paligjshëm.
Ndërsa i shprehur angazhimin e vendit tonë në luftën e goditjes së këtij fenomeni, kreu I qeverisë nuk hezitoi t’i jepte homologut të tij, Rishi Sunak, shembuj konkretë të shqiptarëve që mbartin vlera dhe jetojnë e veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Faleminderit kryeministër! Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve. Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë ‘James Bond’ apo ‘Mr. Bean’, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga ‘Taken’. Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me ju. Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Winston Churchill”, u shpreh Kryeministri Rama.