Sali Berisha hedh sërish akuza ndaj Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha u shpreh se zinxhiri i aferave të Bashës është i gjatë dhe për këtë ai po mbahet “peng”. Kurse për Albeajn, tha se ka fshehur të vëllain që sipas Berishës është një kriminel.
“Përçarja e opozitës është pengmarrje, ndaj duhet t’i quajmë gjërat siç janë. Lulzim Basha është i marrë peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve. Ju e dëgjuat raportin, ato nuk kanë lidhje me PD-në, ato janë transaksione të Bashës. Raportet e CIA-s thonë që janë para ruse. Lulzim Bashë është peng edhe i aferave të tjera. Zinxhiri i aferave të tij është i gjatë.
Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, që është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk dihet se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë.
Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin. Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan. Geni i tyre për pluralizmin i shtyu që të largohen ndaj këtij aventurieri. Ndaj të dyve. Mos mendoni se Basha ka vetëm akuzën e parave. Ka edhe të tjera”, tha Berisha.