Ministrja e qeverisë franceze, Marlene Schiappa është vënë nën kritika nga anëtarët e partisë së saj pasi u shfaq në kopertinën e revistës Playboy. Schiappa e cila ka qenë ministre e qeverisë që nga viti 2017, u shfaq në kopertinën e revistës, ndërsa dha një intervistë të gjatë deri në 12 faqe për të drejtat e grave dhe LGBT. Schiappa e cila është ministrja aktuale për Ekonominë Sociale dhe Shoqatat Franceze, është fotografuar për kopertinën e veshur me të brendshme të bardha.
Paraqitja e saj ka tërhequr kritika nga kolegët politikë, përfshirë kryeministren franceze Elisabeth Borne. Borne tha paraqitja e saj “nuk ishte e përshtatshme, veçanërisht gjatë kësaj periudhe”. Kjo pasi Franca është aktualisht në kufirin e një krizë politike dhe sociale e shkaktuar nga masa e presidentit francez Emmanuel Macron për të çuar përpara reformën e pensioneve, pavarësisht kundërshtimit të gjerë publik.
“Ne jemi në mes të një krize sociale, ka çështjen e policimit, ka njerëz midis jetës dhe vdekjes dhe unë kam përshtypjen se jam pas një perde tymi”,-tha Sandrine Rousseau, politikane e Partisë së Gjelbër dhe aktiviste për të drejtat e grave. Politikani francez, Jean Luc Mélenchon i cili doli i treti në zgjedhjet presidenciale të 2022, kritikoi pamjen e Schiappa-s dhe vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të dhënë një intervistë për revistën për fëmijë, Pif Gadget, këtë javë.
“Në një vend ku Presidenti shprehet në Pif dhe ministri i tij në Playboy, problemi do të ishte opozita. Franca po del nga binarët”,-shkroi Mélenchon në Twitter të shtunën. Schiappa iu përgjigj kritikëve të saj në një postim në Twitter të shtunën, duke thënë: “Mbrojtja e të drejtës së grave për të pasur kontrollin e trupit të tyre, është kudo dhe gjatë gjithë kohës. Në Francë, gratë janë të lira. Me gjithë respektin për keqbërësit dhe hipokritët”.