Një sherr i ndodhur disa ditë më parë në Tiranë, i kushtoi jetën një 46-vjeçari. Viktima është Gentian Talja dhe sipas policisë ndërroi jetë një ditë më parë në spital. Në një njoftim për mediat këtë të mërkurë, policia thotë se viktima dhe dy persona të tjerë, Henri Gjapi dhe Artur Gjolena u konfliktuan me njëri-tjetrin të premten, për shkaqe momentalisht të paqarta.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, për shtetasin Artur Gjolena 41 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Henri Gjapi, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Kjo pasi “më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi Henri Gjapi është konfliktuar me shtetasin Gentian Talja, 46-vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi Artur Gjolena i cili ka goditur shtetasin Henri Gjapi. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit Henri Gjapi”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
