Askush më mirë se nëna nuk e di rëndësinë e një gjumi të mirë gjatë natës. Kjo pasi cikli i gjumit të foshnjës dhe ai i juaji janë tërësisht të ndërvarur nga njëri-tjetri, dhe jeni ju që duhet të sakrifikoni për beben. Kur fëmija juaj zgjohet natën, normalisht që çdo nënë bën maksimumin për të vendosur fëmijën sërish në gjumë.
Pse cikli i gjumit të foshnjës mund të jetë i ndryshëm nga i juaji?
Gjumi si një funksion trupor është thelbësor për të gjitha grupmoshat, qoftë foshnje, fëmijë apo të rritur. Modeli ndryshon, por domosdoshmëria mbetet. Shkenca sugjeron që modeli i gjumit të një fëmije ndryshon shumë nga ai i të rriturve. Një i porsalindur zakonisht kërkon rreth 16 orë gjumë në ditë, ndërsa një i rritur mund të dojë vetëm 7 orë! Megjithatë, foshnjat nuk flenë vetëm njëherë, ciklet e tyre të gjumit dhe ushqyerjes janë të ndërthurura. Gjithashtu, foshnjat gradualisht ulin frekuencën e kohës së tyre të gjumit kur rriten.
Çfarë e shkakton ndërprerjen e gjumit tek foshnjat?
Ka foshnja (të bekuara) që flenë pa asnjë ndërprerje gjatë natës ose edhe gjatë ditës dhe pastaj ka nga ato foshnja që nuk kanë një marrëdhënie shumë miqësore me gjumin e tyre. Hulumtimet sugjerojnë se mund të ketë shumë faktorë që kontribuojnë në ndërprerjet e papritura të gjumit tek foshnjat. Këto arsye mund të jenë fizike, të tilla si dhoma e ftohtë, lagia e pelenës, apo një arsye shëndetësore.
Cilado qoftë arsyeja, një e qarë e papritur e fëmijës suaj ju bën që të nxitoni dhe ta kontrolloni gjatë natës. Do t’ju duhen disa minuta për ta vënë sërish në gjumë bebin. Sipas pediatërve dhe specialistëve të gjumit, ka disa gjëra që nuk duhet t’i bëni më kur fëmija zgjohet papritur nga gjumi.
1. Tundni fëmijën për ta vënë në gjumë çdo ditë
Kjo është një praktikë shumë e përhapur dhe shumë efektive, pasi e vendos shpejt foshnjën në gjumë. Por kjo praktikë nuk është shumë e këshillueshme për t’u bërë çdo natë. Kjo pasi këto lëkundje mund të bëjnë që fëmija juaj të varet nga ky zakon i veçantë për të fjetur sërish gjumë. Ai mund të vazhdojë të zgjohet në momentin që do të kuptojë se ju nuk po e tundni më. Gjëja më e mirë është që ta tundni herë pas here dhe për një kohë të shkurtër. Mundohuni të përdorni taktika të tjera të tilla si ninullat ose ndriçimin e zbehtë për të nxitur gjumin.
2. Ushqyerja gjatë natës
Ndodh shpesh që nënat pasi zgjohet fëmija natën t’i japin për të pirë. Në disa rrethana kjo mund të jetë e domosdoshme, sidomos tek foshnjat e vogla, që zgjohen shpesh pasi kanë nevojë të pijnë. Por kur fëmija pak më i rritur është ushqyer mjaftueshëm, nuk është ide e mirë t’i jepni qumësht gjatë natës. Kjo pasi atyre do t’ju kthehet në zakon dhe do të zgjohen çdo natë për t’u ushqyer.
3. Vendosja në gjumë
Përgjumja e foshnjave dhe të rriturve është shumë e ndryshme nga njëra-tjetra. Kur e ndjeni që fëmija juaj është i përgjumur dhe gati për të fjetur, mos e vendosni direkt në krevatin e tyre. Kjo pasi ata mund të ndiejnë ndryshimin e mjedisit dhe të zgjohen përsëri. Ajo që duhet të bëni është ta kaloni gradualisht bebin në krevatin e tij.
4. Nxjerrja për një shëtitje
Ndonjëherë, kur fëmija juaj zgjohet gjatë natës, heqja e tyre nga krevati dhe vendosja në një karrocë për shëtitje, mund t’ju ndihmojë. Mirëpo kjo nuk është mënyra e duhur për ta vënë fëmijën sërish në gjumë, pasi sapo të ndalojë lëvizja, me shumë mundësi ata do të zgjohen sërish. Ajo që mund të bëni është ta merrni pak në krahë.
5. I zgjojmë herët ditën djetër
Shpesh ndodh që kur fëmija është zgjuar gjatë natës, nënat nuk e lënë të flejë deri vonë ditën tjetër, me idenë që në darkë ta zejë gjumi më herët. Por kjo praktikë është e gabuar. Mjekët thonë se nëse i zgjoni foshnjat herët në mëngjes, ose nëse nuk i lini të flenë sa duan, ata nuk do të bëjnë gjumë të qetë gjatë natës dhe do të zgjohen shpesh. Ajo që duhet të bëni është të mos e vononi fëmijën për të fjetur dhe kur të afrojë orari i gjumit thjesht lajeni dhe visheni me rroba të rehatshme.
6. Ngritja e menjëhershme nga shtrati
Ky është një gjest paksa instiktiv kur fëmija qan gjatë natës. Nëna priret ta marrë në krahë për t’u qetësuar, mirëpo në këtë mënyrë thjesht ia përforcon foshnjës idenë e zgjimit në këtë orë. Ajo që mund të bëni është të varni lodra në krevat për t’i bërë tërheqëse për fëmijën, në mënyrë që atij t’i pëlqejë shtrati dhe mos e merrni direkt.