Kryeministri Edi Rama prezantoi diskutimet dhe vendimet e arritura në mbledhjen e qeverisë, ku fokus kryesor është se rriten pagat. Duke thënë se synon të bëjë më të mirën dhe maksimumin për shqiptarët, kreu i qeverisë prezantoi rritjen e pagave në disa sektorë, duke theksuar dhe hapat që do të ndiqen.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’u them specialistëve më të ulët se paga e tyre do të shkojë 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm që do të shkojë mbi 100 mijë lekë apo në arsimin e ulët që do të shkojë deri në 90 mijë.
Një rritje do të ketë për pedagogët me 20%, me një diskrecion që mund të shkojë deri në 30%. Kënaqësi t’u them infermierëve që do të marrin 87 mijë lekë si bazë. Janë rritur pagat për FA dhe do të vijojmë t’i rrisim. Janë rritur pagat për zjarrfikësit, të cilat do t’i çojmë deri në 80 mijë lekë. Kjo do të bëhet në dy hapa.
Një hap do të bëhet tani me mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe hapi tjetër do të jetë vitin e ardhshëm, kur do të bëjmë plotësimin e reformave të pagave dhe do arrijmë në 900 euro pagë mesatare”, tha Rama.
