Strukturat e Policisë së Shtetit, parandaluan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, drejt Anglisë.
Në operacion u përfshinë Policia Kufitare e portit Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës dhe Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet doganore të portit Durrës.
Gjatë operacionit, në një furgon që transportonte mallra të ndryshme drejt Anglisë, shërbimet e Policisë, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore për gjetjen e armëve të zjarrit dhe municionit, bënë të mundur që brenda një tavoline të gjenin 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Policia vuri në pranga drejtuesin e furgonit, shtetasin J. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me SPAK-un, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Anglisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
