Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi i shoqëruar nga kryesuesi i listës për Këshillin Bashkiak, Ilir Alimehmeti dhe kandidatë të tjerë, ka vijuar turin e takimeve në çdo lagje të Tiranës. Këlliçi u ndal në zonën e “Brrylit” në Kryeqytet dhe pranë “Maternitetit të Ri”, ku shtrëngoi duart me qindra qytetarë të Tiranës, të cilëve njëkohësisht u dha dhe programin e tij për drejtimin e kryeqytetit. Gjatë takimeve në rrugë, një i moshuar u interesua për angazhimin e dhënë nga Belind Këlliçi, për transportin publik falas.
Këlliçi shpjegoi se ky angazhim do të bëhet realitet pas 14 Majit, pasi sipas tij, prioritet do të jenë qytetarët. “Transporti, autobusi? 100% që po. E di si realizohet? Mjafton t`i çosh lekët, që këta i vjedhin i marrin për inceneratorin, me i çu tek autobusi falas për të gjithë Tiranë. 100% e realizueshme. është çështje prioriteti, a ke hyr me vjedh apo ke hyr të bësh punë. Unë jam futur për të bërë punë, e kam ndarë mendjen”, u shpreh Këlliçi.
Qytetari u interesua të dinte nëse do të ketë largime nga puna edhe për punonjësit që shërbejnë aktualisht në sistemin e transportit urban të Tiranës. Belind Këlliçi u shpreh se jo vetëm që nuk do të largohet njeri nga puna, por sistemi do të modernizohet.
“Të gjithë do punojnë, unë do subvencionoj shërbimin, nuk do heq njeri nga puna. Unë do paguaj aq sa duhen në vit me e mbajt në këmbë sistemin me fitim. Unë po të them kaq: ajo kushton në vit 16.5 milionë euro, buxheti është 240 milionë euro. Unë do t`ua paguajë 16.5 milionë euro operatorëve çdo vit operatorëve që ta mbajnë sistemin në këmbë dhe ta modernizojnë”.
Belind Këlliçi deklaroi gjithashtu se ndryshimi do të vijë në 14 maj, pasi llogaritë tashmë janë ndarë. “I kemi ndarë llogaritë, ne gjithë ditën me qytetarët, këta i kemi lënë me oligarkët. Në datën 14 do të bëhet ndryshimi se zbën se shohim njerëzit, çdo ditë, kudo ku ikim”, u shpreh Belind Këlliçi.