Me një pjesëmarrje shumë të ulët dhe bojkotim nga ana e partive politike serbe u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të komunave në katër komuna të veriu të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 1 mijë e 567 qytetarë, apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar e hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet “legjitim”. Komunat veriore me shumicë serbe kanë tanimë 4 kryetarë të zgjedhur.
Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje është fitues në Leposaviq me 73.5 për qind të votave, apo 100 vota gjithsej. Kandidati i tjetër i VV, për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej.
Në Zubin Potok, fitoi Izmir Zeqiri, nga Partia Demokratike e Kosovës me 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Dhe në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës me 60 për qind të votave apo 114 vota. Vetëm një kandidate në Zveçan ishte serbe, Sllagjana Pantoviç.
