Edi Rama në një takim me disa të rinj të qytetit të Durrësit, u bëri atyre thirrje që të bindin edhe familjarët e tyre që të rikonfirmojnë në detyrë Emiriana Sakon. Po ashtu Rama u ndal dhe te kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Durrësin, Igli Cara.
Carën, Rama e cilësoi si djalë të mirë, por ashtu siç është shprehur edhe për kandidatë të tjerë, shtroi pyetjen se si mund t’ia vërë në dispozicion emrin dhe reputacionin, Sali Berishës?
“Mund të jetë djalë i mirë. Unë jam i martuar, nuk kam motër për të martuar. Nuk jam këtu për të bërë krushqi me djalin e mirë. Këtu çështja nuk është te sa djalë i mirë apo i keq je. Këtu çështja është, a ma bën punën apo jo? Durrësi sot, një nga qytetet më të pastër të Shqipërisë, gjë që nuk ishte e vërtetë deri kur Ani mori detyrën.” Kreu i socialistëve u kujtoi durrsakëve që “u rreh zemra djathtas” se në fletën e votimit do të kenë emrin e Ilir Metës.
