Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Sipas saj Nikulaj ishte një person me shumë influencë në zonën ku jetonte dhe ishte i lidhur me biznesin dhe botën e krimit pasi emri i tij ka dalë në përgjimet për tjetërsimet e pronave në Shëngjin.
Ajo shtoi se pista kryesore është gjakmarrja dhe pse nuk përjashtohen të tjerat, ndërsa zbuloi se Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një pretendimi se nuk janë paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant.
Përgjatë viteve 1997 deri 1999 janë kryer disa vrasje dhe plagosje mes palëve, ndërsa Nikulaj i cili nuk u mor kurrë në pyetje për këto raste sipas Lalës, u vra mbi 20 vite më vonë.
“Nikulaj u vra sepse nuk arrihej lehtësisht. Kishte shumë influencë si biznesmen dhe ishte i lidhur me botën e krimit. Nikulaj ka dalë në përgjimet e prokurorisë për tjetërsimet e pronave në Shëngjin më parë. Në këtë fushatë mbështeste kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë, ndërsa i vëllai mbështeste kryetarin aktual të bashkisë. Policia beson për një vrasje me motive gjakmarrjeje, por nuk përjashtohen konfliktet për arsye të tjera. Përplasja e Nikulajt me fisin Lekstakaj ka nisur në vitin 1997 pas një konflikti në një karburant për 10 mijë lekë të vjetra që pretendohet se nuk janë paguar. Është ekzekutuar vëllai i Ardian Nikulajt dhe një person nga fisi tjetër në këtë rast.
Në shtator të këtij viti vritet Gezim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip. Në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj. Kjo dyshohet se ndodhi nga Nikulajt por jo për motive gjakmarrjeje. Nikulaj nuk u mor kurrë në pyetje për këto raste. Konflikti nuk është zgjidhur asnjëherë. Pista kryesore është gjakmarrja dhe pse nuk përjashtohen të tjerat”, u shpreh ajo.