Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në takim me qytetarë të Njësinë 8, i njohu me pikat e programit. Këlliçi u shpreh se shërbimi i transportit publik falas, do të ofrohet edhe për zonat rurale. “Sa lekë e keni biletën aty? 1 mijë lekë! Do ta bëjë zero unë pas 14 majit. Ma beso, më shiko këtu, do ta bëj. Për të mos ardhur me biçikletë, për kalamajtë. Kalamajtë, e keni problem e di”, tha Këlliçi.
Nga ana tjetër, Këlliçi në takim me biznesin e vogël shpërndau programin e tij për taksat dhe tarifat vendore, disa prej të cilave do të zerohen, ndërsa të tjera do të ulen deri në 50%. “Për hapësirën publike? Ne do ta përgjysmojmë. Kam folur pa fund për këtë punë dhe prandaj po them që do ta përgjysmojmë. Me taksat, me këto, u kanë bezdisur? Do t’i ulim, nuk e di nëse i ke parë. Taksën e infrastrukturës arsimore do ta heqim. Ti hapësirë publike nuk besoj se ke këtu, por një pjesë të taksave do t’i heqim”, u shpreh Këlliçi.
Qytetarë të shqetësuar për projektvendimin e qeverisë, që parashikon shembjen e pallateve mbi 50-vjeçare, morën garanci nga kandidati i opozitës, se banesat e tyre nuk do të preken, Këlliçi u shpreh se, në rastet kur do të ketë nevojë për auditim, ai do të kryhet me miratimin e qytetarëve, teksa theksoi se, në momentet që do të duhet të ndërhyhet në objekt, pronarët e apartamenteve do të marrin të njëjtën sipërfaqe prone sa kanë pasur më herët.
Ai tha se do t’i jepet fund grabitjes së pronës së qytetarëve. “Banorët do të jenë të qetë se shtëpia nuk do t’i preket. Po e dyta, banorët duhet të dinë se çfarë ndodh. Se edhe mund të ketë pallate që mund të kenë nevojë për ndërhyrje, por kjo duhet vendosur bashkë me banorët. Edhe nëse është për t’u bërë një projekt, ti ta dish. Do ndodhi ky projekt, kam kaq metra katror, kam 80 metra, kam 70 metra, 70 do marr! Çfarë ka ndodhur këtu këto vite me kryetarin e bashkisë është e tmerrshme. Janë nxjerrë njerëzit me gaz lotsjellës nga shtëpia, janë nxjerr me dhunë. Ajo që ndodhi te “Myslym Keta” herën e fundit, ka qenë tmerr, i prenë dritat, në orën 4 të mëngjesit u prenë ujin. Te 5 Maji, me gaz lotsjellës në mes të natës. I shembën shtëpitë bashkë me plaçkat brenda, me rrobat e trupit. Kjo nuk i bëhet as armikut. Kjo që ka ndodhur nuk do të ndodhë më. Me u vjedh pronat qytetarëve, nuk ndodh më”, u shpreh Këlliçi.