Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, thotë se informoi delegacionin e OSBE-ODIHR për shkeljet që qeveria po bën gjatë fushatës zgjedhore të 14 majit.
“Janë 3 mijë të punësuar gjatë kësaj periudhe si në pushtetin qëndror edhe atë vendor, me kontratë por edhe vende të reja pune në shërbimin civil.”
Në një konferencë pas takimit, Bejko tha se u ndal në mënyrë të veçantë te investimet me qëllim elektoral nga bashkia e Tiranës.
“Qytetarët janë të shantazhuar për shkak të presionit për vendin e punës si dhe investimet elektorale që ka bërë Erion Veliaj ditët e fundit ku ka veshur rrugët e Tiranës me një tapet të hollë asfalti.”
U ankua se Sali Berishën e cilësojnë ende kryetar të PD-së dhe se KQZ nuk i ka lëvruar ende paratë e fushatës.
“Vazhdojnë ta quajnë ende zotin Berisha si kryetar të PD-së ndërkohë që PD është tjetërkund, kandidatët e tyre i quajnë përfaqësues të PD ose kandidatë të PD dhe kjo është terësisht në shkelje me ligjin. Bëmë me dije se ende sot PD nuk ka asnjë qindarkë të lëvruar nga KQZ, fondet që na takojnë për zhvillimin e fushatës.”
Këto shqetësime sipas Bejkos po dëmtojnë proçesin zgjedhor të 14 majit.