Kryeministri Edi Rama thotë se një nga objektivat kryesore të qeverisë është shndërrimi i sportit dhe veçanërisht i futbollit, në një motor për zhvillimin turistik dhe ekonomik. Nga Korça, Rama pohoi edhe se plani është zhvillimi i infrastrukturës sportive në mënyrë që skuadra të njohura europiane të vijnë dhe të zhvillojnë seancat përgatitore në Shqipëri.
“Kemi ambicien për të transformuar sportin dhe futbollin në një mundësi të shtuar për turizmin, duke ofruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja të stërviten në Shqipëri. Korça besoj se do jetë e para, që këto skuadra të kalojnë periudhën përgatitore dhe në këtë kontekst dua të shtoj që duam të shohim përtej fushës së blertë dhe të krijojmë një gravitet të ri për këto qytete, që të shkojnë përtej ndeshjeve të së dielës”, tha Rama.
Në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Projektin Stadiumit “Skënderbeu”, për një Qendër e Re e Korçës, ku u prezantuan 3 finalistët, Rama shtoi edhe se në fokus do të jenë edhe fëmijët, duke theksuar se do të shtohen terrenet sportive që të mund të jenë të aksesueshëm për të gjithë, nga zonat rurale edhe në ato urbane. Për këtë, tha se financat nuk janë një problem, por duhet një koordinim i mirë mes institucioneve.
