Duke bërë një rezyme të ecurisë ekonomike të vendit në 3-mujorin e parë të vitit, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se të ardhurat kanë ardhur duke u rritur gjatë këtij tremujori, duke u ndikuar nga rritja e çmimeve, por edhe nga aktiviteti ekonomik.
Por deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se qeveria kujdeset që përditë të na tregojë që Shqipëria ka një rritje ekonomike fenomenale. Po ashtu, Tabaku thekson përmes një postimi në Facebook, se kushdo e di se arsyeja e zhvlerësimit të euros nuk është prej turizmit, por nga paratë e pista dhe zgjedhjet.
“Kushdo nga qytetarët e di që shqiptarët po largohen nga vendi, që është një krizë thuajse permanente për punëtorë por qeveria thotë që nuk janë larguar mbi 200 mijë shqiptarë pasi në fakt qeveria ka rritur punësimin dhe shqiptarët që mungojnë janë thjesht të punësuar. Kredimarrësit e dinë që kësti i kredisë së marrë në bankë është duke u rritur përditë, por qeveria na thotë që në fakt borxhi ynë publik është në vlera minimale.
Kushdo e di që inflacioni po ia gllabëron rrogën, qiranë dhe të ardhurat por qeveria kujdeset të na thotë që rritja ekonomike është shumë e mirë. Kushdo e di që taksat e kësaj qeverie janë ushqimi me të cilën ushqehet oligarkia politike dhe ekonomike që merr projekte publike dhe shqiptarët paguajnë dy herë, por qeveria çdo dy ditë del dhe tregon përrallën se Shqipëria është parajsa e turistëve dhe vendi më i drejtë fiskal”, shtoi ajo.
