Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi gjatë takimeve që zhvilloi në zonën e “Xhamllikut”, “Selitës” dhe te “5 Maji”, Këlliçi tregoi se ky angazhim i kushton fare pak buxhetit të bashkisë, ndërsa i shërben qytetarëve. “246 milionë euro është buxheti i bashkisë. Autobusi falas kushton 16.5 milionë euro. Ta bëjnë llogarinë me mollë po deshën. 246 mollë është buxheti, 16.5 mollë është autobusi”,–tha Këlliçi.
Në zonën e Xhamllikut, një ndër problemet që u ngrit si shqetësim nga qytetarët, ishte dhe çështja e parkingut. Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që këtij problemi t`i japë zgjidhje pas 14 majit, duke vënë në dispozicion të qytetarëve pa pagesë, 30% të parkingjeve që aktualisht janë me pagesë. Ai premtoi edhe ndërtimin e parkingjeve të reja në qytet.
“Do të shohim dhe mundësinë e parkimeve nëntokësore, në vende të caktuara, apo dhe të ndërtimeve me objekt vetëm parkimin e makinave. Pra të mos ndërtohen vetëm pallate, të mos ndërtohen vetëm objekte të mëdha, por të ndërtohen edhe godina të mëdha që të shërbejnë për parkimin e automjeteve siç i ka e gjithë bota”,-u shpreh Këlliçi.
Në një nga zonat, ku zhvilloi takime me banorët, në Selitë, Belind Këlliçi hasi me asfaltin elektoral të Erion Veliajt. Një rast flagrant, ishte ai i vendosjes së dy tabelave për punime në rehabilitimin e disa rrugëve të brendshme, ku tabelat dukshëm nuk përmbushnin detyrimin ligjor me informacionin e nevojshëm për afatet e punimeve. Shtuar këtu edhe faktin, që në rrugë, ndonëse ishte vendosur shkresa e tenderimit të punimeve, në terren nuk kishte asnjë makineri.
Nga Selita, ku mori denoncime për gjobvënien nga policia bashkiake, Belind Këlliçi, u angazhua që pas 14 majit, kjo polici të kthehet në shërbim të qytetarëve dhe jo në gjobvënëse të tyre. “I them atyre qytetarëve që më shkruajnë, që më falenderojnë çdo ditë, për shkak se qëkur unë kam filluar të flasë, nuk janë më prezent policët bashkiak, janë zhdukur edhe nuk vendosin më gjoba për momentin, i them që kështu do të jetë edhe pas 14 majit. Me Belind Këlliçin kryetar bashkie Policia Bashkiake do të jetë polici komunitare. Do të jetë polici në shërbimin tuaj, jo t’ju gjobisi ju, jo t’ju marri shpirtin ju”-u shpreh Këlliçi.
Pas takimeve në zonën e Xhamllikut dhe Selitës, Belind Këlliçi takoi qindra qytetarë të zonës së “5 Majit”, mes të cilëve Nënë Lizën dhe banorë të tjerë, të cilëve një vit më parë, bashkia e Tiranës u shembi banesat. Teksa panë nga afër rrënojat e banesave të shembura nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, nënë Liza nxorri një deklaratë të bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, i cili pretendon se banorët që iu shemb shtëpia te “5 Maji”, kanë firmosur për të marrë pronat sipas sipërfaqes që kishin.
“Nënë Liza firmosi 500 m2 të Stefano Boerit te “5 Maji” kur e kuptoi që nuk e ndalon dot progresin. Dhe nga një karakatinë me katër këmbë që mund ta përmbyste lumi, pra një stallë me një kotec me një stallë me një kotec me një kafaz, merr 500 m2”,-shprehej Veliaj në deklaratë.
Ashtu si dhe më herët, Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që pas 14 majit, banorët, të cilëve iu është shembur banesa nga bashkia e Tiranës, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut për pronën e tyre, ndërsa dha fjalën, se në vijim banesat e banorëve të tjerë nuk do të preken.
“U kemi dhënë premtimin në fakt, që unë kam kënaqësinë që ta përsërisë këtu para jush sot: do dëmshpërbleheni cent për cent me vlerën e tregut për shtëpinë tuaj. Kjo është e rëndësishme se është pasuria e një jete që ju keni. Unë kam përshtypjen se asnjë nga ju këtu nuk ka një shtëpi të dytë nëse ju është prish shtëpia. Ajo është gjithçka që keni pasur në jetën tuaj. Edhe ata që janë të shqetësuar me të drejtë, që janë pjesë e këtij blloku që kemi kaluar këtu. Që po na tregonin që jemi në merak të madh, sepse flitet që do të shembet edhe një pjesë shumë e madhe e zonës, i jap garanci se pas 14 majit prona juaj nuk do të preket”-u shpreh Belind Këlliçi.
Në çdo rrugë, në çdo lagje, në Xhamllik, Selitë, Bregu i Lumit e Kudo, Belind Këlliçi ka shtrënguar duart me dhjetra qytetarë, të cilët i kanë shprehur besimin dhe mbështetjen, që pas 14 majit, ai të drejtojë bashkinë e kryeqytetit.
Gjatë takimeve, kanë qenë jo të pakët socialistët e zhgënjyer nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, që jo vetëm nuk do të votojnë më për ta, por këtë herë kanë vendosur të bëhen garantë të mbrojtjes së votës për opozitën. Gjithashtu, të shumtë janë dhe bashkëatdhetarët, që kanë ardhur deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të mbështesin me votë projektin e Belind Këlliçit për Tiranën në datën 14 maj.
“Unë jam Mark Deda, më njohin të gjithë komshinjtë këtu. Jo vetem në socialist, por kam qenë krejt socialitë gjithë çfarë ini këtu ju kam kërkuar votën për Partinë Socialiste, për Edi Ramën dhe për Erion Velinë, u kam kërkuar vota. Socialistat nuk e votojnë. Edhe mund të dojë me i vjedh, por me i vjedh s`kemi për ta lënë se do e mbrojmë votën me kokë do e mbrojmë votën. Harmoninë që e ka kjo zonë këtu, ma merr mendja se e ka pakkush. Në 2005 ne kena fituar 81%, këtë vit do fitojmë 100%”.