Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Pentagon, e dyta brenda një viti, ku u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.
Ministrja e Mbrojtjes i cilësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mik i madh dhe aleat i popullit shqiptar. Sipas saj, fati i rajonit do të kishte qenë ndryshe pa mbështetjen e aleatit strategjik.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE. Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, tha ministrja Xhaçka.
Ajo siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i denjë.
“Gjithmonë mund të mbështeteni tek ne, sa herë që të lindë nevoja. Ushtarët tanë janë ushtarët tuaj”, tha ajo.
Për sekretarin Shanahan, Shqipëria është një partner i fortë, ndërsa nënvizoi ndër të tjera angazhimin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”, tha ai.