Kryeministri Edi Rama e konsideron fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, krejt ndryshe nga herët e tjera pasi pretendon se nuk kanë kundërshtarë konkret. I ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” Rama pranoi se ka disa gjëra që s’janë bërë mirë, por është e rëndësishme që nuk flitet për premtime si “do t’u sjellim ujë” si dhe shtoi se duhet të përmirësohet bilanci duke qenë se Tirana ka rritje të madhe të popullsisë.
Po ashtu Rama bëri një koment edhe për të gjithë kritikët e këngës së fushatës. “Nuk është tallava, është kombinim mes hip hop me muzikën tradicionale. E shijoj shumë edhe tallavanë. Tani këta hundëhollët e buzëhollët që kanë problem me tallavanë, ju siguroj që nuk e kanë dëgjuar kurrë Bethoven nga fillimi deri në fund”, tha Rama.
Sa i përket podcast-it që bën me personazhe të ndryshëm dhe publikon episode cdo të shtunë, Rama shprehet se është frymëzuar nga gazetari britanik Alastair Campbell.
“Kisha kohë që e mendoja, por fakti që kam marrë gjithë këtë hov zëri në vesh tregon se njerëzit kanë nevojë të jenë në hapësirën e jetës së tyre ku të mos jenë të imponuar nga imazhi, por të mund të shijojnë një bisedë që zakonisht është më e thellë se sa biseda që bëhet në televizor dhe mua vetë më ka tërhequr për 2 arsye, e para se podcasti sjell më shumë njerzillëk në komunikimin e përditshëm publik dhe ne kemi shumë nevojë për njerzillëk në hapësirën e komunikimit mediatik. Alastair Campbell ka qenë shtysë”, tha Rama.
