Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama vijoi fushatën në Mat. Gjatë një takimi me qytetarët, Rama u bëri thirrje atyre që të mos votojnë për koalicionin Berisha-Meta. Po ashtu Rama tha se ata i kanë pasur në dorë bashkitë, por edhe kur kanë qenë në qeverisjen qendrore nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e vendit.
“Ata që sot rikthen rikërkojnë vota pa pikën e turpit, nuk kanë pasur asnjë sens të zhvillimit të qyteteve. I kanë ndarë njerëzit si mish për top, e kanë propaganduar demokracinë si monopolin e tyre.
Duke i trajtuar socialistët si komunistë, si persekutorë edhe pse për ironinë më të madh e të fatit dhe talljen më të madhe të atyre që kanë qenë të persekutuar, që kanë pasur të vrarë për shkak të komunizmit, në krye kishin një ultra komunist, jo nga ata të ndershmit, por nga ata që për karrierë dhe për ambicien për pushtet ishin gati të bënin çdo gjë, të ndërronin edhe maskën.
Sot që ajo maskë është çjerr nga aleati më i madh i Shqipërisë SHBA dhe është bërë një maskë e papërdorshme dhe e padëshiruar jo vetëm në SHBA, por në të gjithë Evropën, është e pakonceptueshme se si ka ende njerëz të ndershëm, por jo njerëz që janë të lidhur me interesa, ata janë parazitë që i shkojnë mbrapa për pushtet. Ka akoma njerëz që i japin besim, votë dhe harrojnë”,-tha Rama.
