Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me demokratët në Durrës, ku prezantoi listën me kandidatët e PD për Këshillin Bashkiak. Alibeaj tha se Durrësi dhe durrsakët do të vendosin në 14 Maj e do të votojnë për veten, do të votojnë për qytetin e tyre, do të votojnë për të ardhmen dhe familjet e tyre duke votuar Partinë Demokratike.
“Sot e shoh këtë shpresë dhe kam besim që edhe një herë si në 1990-ën e rimarrim edhe një herë rrotën e historisë atje ku ngeli në mes, ta çojmë përpara. Atë histori të ngelur në mes ta çojmë përpara pikërisht me këto zonja dhe zotërinj, pikërisht me ju miq e të nderuar. Miq, demokratë, qytetarë të Durrësit përveç entuziazmit që e kam sot dhe e ndjej, e kam pasur edhe në të gjitha takimet që kam bërë në Shqipëri nga jugu në veri, do të duhet të jemi të sinqertë e njëri-tjetrin për kohën e vështirë që po kalon Partia Demokratike, por edhe Shqipëria mbi të gjitha”,-tha ai.
Po ashtu, Alibeaj tha se me kundërshtarë të tillë si Berisha dhe Meta, Edi Rama nuk ka garë fare.
“Kam folur për trekëndëshin Rama-Berisha-Meta në takime të tjera, gjatë kësaj fushatë. Siç e keni parë në një vit e gjysmë këta të tre kanë sulmuar PD herë fshehurazi e herë haptas, por gjithmonë të koordinuar me njëri tjetrin sepse gjërat që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë. I bashkon korrupsioni i 30 viteve në pushtet prandaj mbajnë njëri-tjetrin në politikë. Rama mban Berishën. Berisha mban Metën dhe të dy mbajnë Ramën. Shqiptarët masivisht janë kundër berishizmit dhe kërkojnë euroatlantizmin. Shqiptarët nuk e duan Ramën po aq me pak Berishën dhe Metën. Regjimi i Ramës, miq, zonja dhe zotërinj do të marrë fund jo kur të ikë Edi Rama, por kur të ikin arsyet se përse vazhdon të rrijë aty Edi Rama. Berisha dhe Meta, aleanca e tyre laramane, kuq e blu“.
