Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave për masakrën në Serbi ku u vranë 9 persona në një shkollë fillore. Nxënësi i klasës së shtatë, i identifikuar si Kosta.K ekzekutoi 8 nxënës dhe rojën e shkollës.
Rama shkroi se janë pikërisht këto momente ato që na bëjnë të kuptojmë se njerëzimi është gjëja më e vlefshme.
“Është jashtëzakonisht e trishtueshme të dëgjosh për të shtënat e sotme pa dallim në një shkollë të Beogradit. Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike.
Këto janë momentet në jetë kur ne të gjithë e kuptojmë se njerëzimi ynë është gjëja më e vlefshme që të gjithë kemi të përbashkët dhe kur dhimbja dhe pikëllimi na kujtojnë vlerën e bashkimit në kohë të mira dhe të këqija. U prehshin në paqe ata që u ndanë nga jeta”- shkruan Rama, gjysmë anglisht dhe në serbisht.
