Policia e Himarës ka mundur të gjejë pas 20 orësh dy turistët belg, në malet e thepisura mes Vrashintit dhe Iljazit. Sipas policisë turistët kishin telefonuar rreth orës 15.30 të së enjtes në sallën operative të Vlorës duke kërkuar ndihmë.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kanë organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.
Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.
Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e tyre gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës.
Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave.
Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e Policisë.
Theksojmë se turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bëhet transporti i tyre pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë.