51-vjeçari Petrit Vuksani u vra në banesën e tij, që e kishte dhënë me qira tek Lekë Vuksani, banesë të cilën autori i krimit e kishte marrë me qira. 34-vjeçari u arrestua pas 21 orësh kërkime, dhe ka dhënë dëshminë e tij në policinë vendore të Shkodrës, por në fund nuk ka pranuar ta firmosë. Në bisedë të lirë me efektivët, 34-vjeçari ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”,-mësohet të ketë thënë.
Paçka pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij. Vëllai i autorit të dyshuar ka bashkëpunuar që nga momentet e para me policinë vendore të Shkodrës, sepse vëllai i autorit ka një miqësi të ngushtë me vëllain e viktimës.
“Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes”.
