Partizani do të luajë ndaj Kukësit në duelin e vlefshëm për javën e 32-të të “Abissnet Superiore”. Në prag të këtij takimi të rëndësishëm, tekniku i “demave të kuq” Giovanni Colella ka folur për mediat.
“Mendoj që nuk duhet ta shikojmë klasifikimin pasi duke parë që skuadrat janë mjaft të ngjeshura. Duke studiuar kampionatet sezonet e shkuara, kam evidentuar se skuadrat e vendeve të fundit duhet të kishin 10-12 pikë, por tashmë vend i fundit ka 32 pikë, prandaj për këtë fakt të gjitha ndeshjet janë të vështira.
Nuk më intereson nëse ne luajmë pas apo Tirana përpara. Mendoj që janë ndeshje shumë të rëndësishme si ajo me Kukësin, por edhe derbi me Tiranën, nuk ka kohë për të rikuperuar. Janë të gjitha ndeshje të rëndësishme duke përmendur dhe ato të mëparshmen, atë me Erzenin dhe Bylisin sepse nuk na lejohet asnjë hap i gabuar.
Për sa i përket rinovimit të kontratës, kjo i takon presidentit Gazmend Demi dhe klubit. Unë do të jap maksimumin deri në përfundim të kontratës time dhe në fund vendosim të dyja palët”.
