Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me strukturat e partisë dhe kandidatët për këshillin bashkiak në Bashkinë e Vlorës.
Duke u ndalur tek deklaratat e djeshme të kryeministrit Edi Rama në Saranda, kryetari i Partisë së Lirisë beson se kryeministri është i frikësuar që do të dalë i treti në këtë bashki, pas kandidatit të “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit të pavarur Gjergj Mërkuri.
“Dje shefi i gomerëve shpalli kapitullimin e Rilindjes në Sarandë, sepse jo vetëm që bashkinë e Sarandës mund ta shohë vetëm me satelitët e tij më 15 maj, dhe këtë e dinte prej kohësh, sepse falë Primareve atje është një superkandidat, por nga tmerri se do të dalë i treti i lutet një socialisti me dinjitet që të tërhiqet se ndryshe do mbajë ai përgjegjësi pse do dalë i treti. Vete i bën një ekskursion administratës dhe një anë kërcënon socialistin me integritet, nga ana tjetër e lajkaton se bëkemi edhe gabime. Tani të gjithë e dinë fytyrën e vërtetë të rilindjes dhe karakteri ne dyfishtë të shefit të gomerëve. Ama kur ia jep të gjitha e dini shumë mirë se çfarë bën. Vlora e potencialeve e mundësive të jashtëzakonshme duhet tu kthehet qytetarëve të saj. Këtu duan të tjetërsojnë çdo gjë, edhe një nga gjërat më të shenjta që është historia. Ai socialisti i pavarur ia dha shumë qartë sot përgjigjen, i tha slogani ynë është që Saranda është e qytetarëve jo e partive”, tha Meta.
