Pas njoftimit se dy turiste të huaja, duke eksploruar zonën e Valbonës, ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur menjëherë në drejtim të vendit ku kishin rënë dy turistet.
Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B.
