Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje takime me qytetarët në Kamëz e Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Ditën e sotme, Rama ndau një fotoalbum të këtyre takimeve, të cilat i cilësoi si ‘Treni i Fitores’.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kamzë, Rama shprehu bindjen se në 14 maj Kamza do të ndahet me urrejtjen dhe komuniteti i Kamzës do të kapërcejë një ndasi të egër, të pashpirt e të pabesë, e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet.
Rama vlerësoi se kryebashkiaku Rakip Suli ka bërë punë të jashtëzakonshme për Kamzën, por vepra më historike e tij do të jetë në 14 maj. Ndërsa, në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë, Rama tha se, “ndërveprimi i qeverisë me bashkinë e Tiranës dhe të tjerat nuk është thjesht ndërveprim punësh publike, financimi projektesh por mes forcash e nivelesh qeverisjeje që janë të bashkuara nga i njëjti vizion”.
