“Një hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës”, e quan Sali Berisha arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, nën akuzën e korrupsionit zgjedhor. Sipas tij këto veprime janë bërë me manipulimet, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave që drejton sot policinë e Vlorës dhe quhet Ermal Muça.
“Dënoj dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shit-blerje vote, kudo që kjo të ketë ndodhur”, tha Berisha në një konferencë për mediat. “Por duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj trojeve dhe tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë.
Sikundër përdorimi i dhunës është një akt “in extremis” për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Kam qenë në Dropull klimë terrori, ku policia u bënte presion zgjedhësve që të mos votonin kandidatin tonë të shkëlqyer, por të votonin kandidatin e Edi Ramës”.
