Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamed RrumbUllaku deklaron se deri më tani janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore gjatë fushatës elektorale.
Rrumbullaku ka theksuar se janë ngritur grupe të posaçme hetimore për krimet zgjedhore, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetareve që të denoncojnë çdo rast të cenimit të votës.
Pjesë nga deklarata:
Në kuadër të masave të ndërmarra gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie, për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale, dhe në asnjë aktivitet elektoral, të zhvilluar në ambiente të hapura dhe të mbyllura, nuk është evidentuar asnjë incident që cenon procesin.
(Masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë prezantuar në mënyrë të detajuar, gjatë paradites së sotme, në konferencën për median, nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit.)
Në zbatim të Kodit Penal, në bashkëpunim të ngushtë me organet proceduese të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme hetimore për evidentimin dhe dokumentimin ligjor të çdo veprimtarie të paligjshme në fushën e krimeve zgjedhore, të përcaktuara nga nenet 325-330 të Kodit Penal.
Në këtë kuadër, gjatë periudhës zgjedhore, strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë vlerësuar dhe analizuar çdo informacion, indicie, kallëzim apo deklarim të çdo qytetari, përfaqësuesi të subjekteve zgjedhore apo kandidati, me qëllim sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Nga të dhënat statistikore rezulton se:
Nga data 14.04.2023 deri më 12.05.2023, janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.
Të ndara sipas veprave penale:
1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;
2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;
3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;
4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;
5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;
6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.
Për veprat penale të sipërcituara, grupet e posaçme hetimore kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimet e organeve proceduese, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.
Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.
Në përfundim, apeloj që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.
