Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, teksa incidente të vogla shoqëruan procesin zgjedhor. Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin për zgjedhjen e 61 kryetarëve të rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë.
Mbi 3 milionë e 650 mijë qytetarë kishin të drejtën për të votuar për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë që do të drejtojnë bashkitë për 4 vitet e ardhshme.
Problematikat më të mëdha u hasën me Pajisjet e Identifikimit Elektronik, çka detyroi KQZ që dy orë pas hapjes së qendrave të merrte një vendim për vijimin e procesit në mënyrë manuale.
Incidenti më i rëndë u shënua në bashkinë e Kolonjës, ku një mbështetës i opozitës goditi kryebashkiakun Erion Isaj, teksa në një incident të ngjashëm u përfshi dhe deputeti Edmond Spaho.
