Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas deklaratave të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të jashtëm Dendias për lirimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Belerit.
Gjatë një konference për mediat, Rama tha se askush nuk mund t’i bëjë presion drejtësisë shqiptare.
Ai shtoi se do të flasë për këtë çështje menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi.
Sipas Ramës, drejtësia në Shqipëri është njësoj si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për ata grekë që jetojnë në vendin tonë.
“Përsa i përket çështjes së Himarës dua të jem shumë i qartë. Së pari dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe nga ana jonë, sepse kemi bërë një punë shumë të madhe me Mitsotakis dhe Dendias për ta çuar në një tjetër nivel marrëdhënien mes dy vendeve. Dua të theksoj se institucionet e drejtësisë në Shqipëri mund të kenë problemet e tyre, por askush, që nga unë i pari që nuk i kam kontestuar vendimet e tyre, e lere pastaj nga jashtë Shqipërisë që të vënë nën presion rolin e tyre. Dua të kujtoj se 2-3 ditë para fushatës zgjedhore policia dhe prokuroria kanë arrestuar një kryebashkiak të PS-së në Bulqizë. As që më shkon në mendje që t’i kërkojë Gjykatës apo Prokurorisë që të nxjerrë provat. Unë besoj që nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për shqiptarët dhe grekët që jetojnë në Shqipëri. Është e njëjta drejtësi. Nuk do të flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi lidhur me këtë. Keqardhje e madhe sepse unë besoj se komuniteti grek nuk është mish për top për askënd as në Greqi, as në Shqipëri.
