Nga jashtë sallës së Kuvendit, deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferaj tha se humbja e opozitës në zgjedhjet e 14 majit, erdhi për arsye të brendshme, por dhe për arsye që shkojnë përtej saj. Nga ana tjetër, Xhaferaj tha se opozitës i duhet një lidership i ri, teksa shtoi se me Berishën nuk bëhet, por dhe pa të nuk bëhet, duke sugjeruar që ky i fundit të bëjë një hap pas.
“Opozita mori rezultatin që pamë të gjithë për shkaqe të brendshme por dhe që shkojnë përtej saj. Të brendshme, dhe që jemi përgjegjës të gjithë, nuk gjetëm gjuhën, përtej, ne nuk kishim përballë PS por sistemin.
Për këtë kam raportin e ODIHR kur thotë u përdor administrate, burime njerëzore, dhunë verbale nga Rama në fushatë… Ky është mesazh që duhet të ndryshojë lokomotiva e trenit opozitar.
Me Berishën në krye nuk bëhet, por dhe pa të nuk bëhet. Të bëjë një hap pas, dhe të jetë vagon. Të projektojë një marrëdhënie tjetër me ndërkombëtarët. Kërkon lidership të ri. Nuk projektuam dot më shumë se 500 mijë vota dhe duhet lidership i ri”, u shpreh ai.