Sulmet ajrore ruse goditën zona të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, përfshirë në kryeqytetin Kiev.
Autoritetet ushtarake ukrainase thanë se kishin arritur të rrëzonin 18 dronë që po sulmonin kryeqytetin gjatë natës.
“Gjatë orëve të natës, agresorët bënë sërish sulme masive me dronë”, shkruajti në rrjetin Telegram, Serhiy Popko, drejtues i administratës ushtarake për Kievin. “Të gjitha objektet fluturuese të pikasura u shkatërruan nga mbrojtja jonë ajrore”.
Nga dronët që rrëzoheshin mori flakë një godinë banimi, por nuk u raportuan viktima.
Shpërthimet tronditën edhe qytetin Chernihiv, në verilindje të Kievit.
Disa shpërthime u njoftuan në qytetin port Mariupol . Sipas mediave ruse nga shpërthimet ishte goditur aeroporti i qytetit.
Shpërthimet në Mariupol ndodhën në përvjetorin e parë të marrjes nën kontroll të qytetit nga Rusia pas muajsh luftimesh të ashpra që shkaktuan dëme masive dhe humbje jetësh.
Në 16 mars 2022, Rusia bombardoi një teatër ku po strehoheshin qindra civilë, shumica gra dhe fëmijë. Zyrtarët ukrainas thanë në atë kohë se rreth 300 persona u vranë nga ai sulm.
Udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin tha të shtunën se trupat e tij kishin vënë nën kontroll të plotë qytetin e Bahkmutit, por ky pretendim u hodh poshtë nga Ukraina, e cila tha se luftimet po vazhdojnë.
Drejtuesi i grupit Wagner i ngriti pretendimet përmes një videoje ku thoshte se mesditën e së shtunës, i gjithë qyteti ishte nën kontrollin e trupave të tij.
Por zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Serhiy Cherevatyi i tha agjencisë Reuters se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se njësitë ukrainase po vazhdonin të luftonin në qytet.
Bakhmuti ka qenë epiqendër e luftimeve më të ashpra dhe më të përgjakshme mes forcave ruse dhe trupave ukrainase, që prej nisjes së agresionit nga Moska, rreth 15 muaj më parë./ Voa