Gjatë fjalës së tij në nisjen e stërvitjes “Defender Europe 2023”, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë “nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar”. Po ashtu Rama tha se organizimi për herë të dytë në Shqipëri i stërvitjes më të madhe ushtarake në Evropë është një privilegj i posaçëm për FA-të e Shqipërisë, të cilat janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitjeje.
“Shqipëria ka nderin që të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot, e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimi, krah për krah me SHBA si bashkëpenmbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe vë në dukje përparimin e pjekurinë që ka arritur vendi ynë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se zhvillimi i kësaj stërvitje me praninë e trupave shumëkombëshe nën drejtimin e SHBA-së, është shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngihen shoqëritë tona.
“Stërvitja na kujton se pavarësisht gjuhës që flasim e flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera e parime që janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Të gjithë së bashku jemi të imponuar nga historia jonë dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, theksoi Rama.
