Vijojnë daljet për mediat nga selia blu e Sali Berishës, duke mos pranuar humbjen, ai akuzon se votimi i qytetarëve ka qenë nën presion dhe i padrejtë. Berisha thotë se do përgatisë një material voluminoz ku sipas tij do të provohet që zgjedhjet ishin “farsë”.
“Në burgun e grave kanë votuar të gjithë për Veliajn. Qytetarët janë detyruar edhe në qendra te tjera të mos futën në dhomën e fshehtë sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisioneri. Këto janë disa nga rastet e panumërta që dëshmojnë dhunimin flagrant të qytetarëve.
Një komision i ngritur po punon me intensitet në denoncimin e farsës së 14 majit. Sikundër shtoj, se shqyrtimi i thelluar i këtij megakrimi kërkon kohën e duhur dhe qytetarët do ta marrin vesh me çdo hollësi e detaj. Është material shumë voluminoz që do duhet të trajtohet me kujdes dhe seriozitetin më të madh”,-tha Berisha.
