Edhe deputeti i PD-së pjesë e Rithemelimit, Dashnor Sula tha se i vjen turp për vendimin që po merret sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të rriten edhe rrogat e deputetëve e ministrave, përveç se punonjësve të administratës.
“10 ditë pas zgjedhjeve, mbyllemi në një sallë dhe dyfishojmë rrogat tona. Turp më të madh në aspektin personal nuk ka. Të rrisim rrogën tonë me 1,6 milionë lekë brenda ditës, kjo na bën të jemi më të urryerit. Po flas këtu për ata deputetë që shkojnë në për zona, jo për ata që nuk i kanë parë ndonjëherë zonat e tyre. Nëse qëllimi juaj është që të bëni që të na shajnë në rrugë, televizion apo rrjete sociuale, atëherë ia keni arritur”, tha Sula gjatë fjalës së tij në Parlament.
Pas kësaj reagoi dhe kryeministrri Rama. “Niveli i pagës nuk përcaktohet sipas qejfit, por sipas një logjike të caktuar nga ekspertët. Nuk mund të kemi prokurorë dhe gjykatës që të paguhen më shumë se presidenti. Nuk keni pse të çoni rritjen e pagës nëpër jetimore ju, hajdeni këtu dhe vendosni që deputetët të marrin pagë minimale, gati jam unë. Unë njoh shumë prej jush këtu që e meritojnë atë pagë, ky nuk është vendi i llumit, nuk është vendi i krimit, është vendi ku deputetit për misionin që ka dhe për çfarë duhet të bëjë për ata që e zgjedhin, e meritojnë pagën e propozuar.
Për mua paga duhet të vendoset sot dhe të hyjë në fuqi në momentin kur hyn në fuqi rritja e pagës më të fundit. Të hyjë në fuqi rritja vetëm kur të jetë bërë rritja e të gjitha pagave të tjera që parashikohen në ligj. Vdeshka unë për ty që do i çosh rritjen e pagës jetimores ti”, deklaroi Rama.
Paga më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Ajo është përcaktuar edhe si pagë referencë, që do të thotë që paraprin të gjithë hierarkinë e pagave për të gjitha pozicionet e tjera. Dy funksionarët e tjerë më të paguar janë kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, të cilët do të paguhen njëlloj, 393 125 lekë. Ministrat që janë edhe deputetë do të marrin rrogën më të madhe, që është vlerësuar ajo e ministrit, e cila shkon në 318 750 lekë.
