Një shfaqje hipokrite e cilësoi Sali Berisha seancën e sotme parlamentare ku pritet të votohet rritja e pagave për presidentin, kryeministrin, ministrat, deputetët dhe punonjësit e administratës publike. Berisha theksoi se procesi i rritjes së pagave duhet të niste me vendosjen e minimumit jetik, ndërsa njoftoi votën kundër këtij vendimi, pavarësisht se u shpreh se ka qenë dhe është pro rritjes së pagave.
“Hipokrizi e paparë në parlament. Pasi mashtroi shqiptarët duke paraqitur rrogën e presidentit, admiralit dhe Rezartit solli në parlament një ligj në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë. Mjekë, policë mësues, ushatarakë përfitojnë një rritje 1% ose minus 1%. Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate.
Një cinizëm ndaj punonjësve të këtij vendi tejkalon çdo cak. Kam qenë, jam e do të jem për rritjen e rrogave. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend ka qenë ngrirja e rrogave, por sot kjo farsë që dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1% ose zbresin, kjo llogaritet me inflacionin e INSTAT, por me EUROSTAT rënia është më e madhe se kaq”,-tha Berisha.
