Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe pasojat që një situatë e tillë ka sjellë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shënjestruar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e Vjosa Osmani, për të cilët u shpreh se ata kanë arritur të zbehin çdo sukses të vendit në vetëm 3 vite në pushtet, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kurtit.
Postimi:
Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.
Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?
Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia ndërrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.
Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!