Në konferencën për shtyp të zhvilluar me presidentin Begaj në Tiranë, presidentja e Hungarisë, Katalin Novak i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të gjejnë rrugën e paqes.
“Bashkë me Begaj jemi interesuar në depërshkallëzim dhe kemi parasysh paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe rajonit. Përpiqemi që ndërmjet dialogut të mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Kanë qenë guximtarë, shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjatë”, tha ajo.
Në qendër të bisedës mes tyre ishte bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimet aktuale në rajon.
“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik. Faleminderit Hungarisë që inicioi shpalljen nga OKB të 5 shtatorit si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë në nderim të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë. Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri. Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Hungaria mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Presidenti Begaj.
