Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për BBC ku foli për tensionet në Veri.
Ai doli krah BE-së dhe SHBA-së duke kundërshtuar kështu qasjen e Albin Kurtit në këtë situatë. Sipas tij kreu i qeverisë së Kosovës është tërësisht i gabuar sepse SHBA dhe BE nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel.
Deklarata e plotë:
Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, por nuk do ta theksoj shumë në aspektin e rrezikut. Do them vetëm që kjo situatë është provokuar fillimisht nga braktisja e institucioneve nga serbët, që krijoi vakuum. Dhe së dyti nga këmbëngulja e autoriteteve të Kosovës për t’i futur në zyra boshe këta kryetarë, ku shumica e popullsisë është serbe. Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve.
