Në një kohë që mazhoranca dhe opozita po ruajnë llogoret e tyre, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja nëse do të ketë një takim për të arritur një dakordësi dhe për të ulur tonalitetet.
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani sjell në vëmendje darkën e famshme mes Berishës dhe Ramës në Strasburg, kohë që përkonte dhe me çadrën e PS në bulevard.
“Ka qenë një kohë që Kryeministri dhe Kryetari i Opozitës takoheshin për situatat postzgjedhore në Shqipëri.
Një biçim përpjekje për të gjetur llafin, për punën e ca kutive që s’hapeshin…
Erdhën në Strasbourg dhe darkuan këtu te Krokodili.
Sot pas kaq vitesh politikë, kryetari i opozitës është Kryeministër dhe Kryeministri është opozitë, i kanë rënë shkurt, nuk takohen më.
Ç’e do?! Thjesht ndërrojmë opozitën dhe beteja sapo ka filluar…”, shkruan Manjani.
Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama do të uleshin për të darkuar sëbashku tek restorant “Krokodil” në Strasburg. Të pranishëm do të ishin dhe Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian dhe Komisioneri per Zgjerimin e BE-se, Shtefan Fyle. / tirananews.al

