Debatet që kanë përfshirë kampin e djathtë pas dorëheqjes së Alibeajt nga posti i kryetarit të komanduar, për Lulzim Bashën janë shenjë e qartë që në PD ka nisur një “reflektim i thellë”. Në një reagim në Twitter, ish-kryetari flet për frymë debati konstruktiv në Kryesinë e PD-së teksa shton se nuk ka gjë më demokratike se mendimet ndryshe në një forum politik.
Postimi i plotë
Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike.
Nuk ka gjë më demokratike se mendimet e ndryshme në një forum politik. Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjjthë. Vlerat demokratike që na drejtojnë në këtë rrugëtim të vështirë për ne demokratët nuk mund të cënohen nga asnjë individ.
Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas.
