Shenjat e një lufte civile mes vetë rusëve janë shfaqur në rajonet ukrainase që Moska ka arritur të pushtojë, me mercenarët e grupit Wagner që gjithmonë e më shumë po përplasen me ushtrinë e Vladimir Putin.
Një kolonel rus tregon se mercenarët e Wagner po rrëmbejnë, përdhunojnë dhe torturojnë ushtarët e Putinit. Nënkoloneli Roman Venevitin, i cili u kap pranë qytetit të sulmuar ukrainas të Bakhmutit nga Wagner, pretendon se është torturuar nga njerëzit e Yevgeny Prigozhin.
“Kishte rrëmbime të ushtarakëve tanë, ku ata u keqtrajtuan fizikisht dhe u poshtëruan. Një nga oficerët e vegjël të batalionit tonë u rrëmbye dhe u torturua. Ai u mbajt lakuriq në një dysheme të ftohtë në një bodrum. Ata ia spërkatën sytë me acid dhe ai humbi përkohësisht shikimin. Po ashtu e lagën me benzinë dhe tentuan ta djegin”, rrëfeu zv/koloneli i ushtrisë ruse.
