Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar sot shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. Ai është Giovanni Pietro Barbano, i cili do të zëvendësojë Lars-Gunnar Wigemark.
Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian Barbano është me gradë Gjeneral Major në kuadër të Karabinierëve italianë dhe drejtor aktual i Qendrës së Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit në Vicenza të Italisë. Mandati i tij në Kosovë do të zgjasë nga 26 qershor i këtij viti deri më 14 qershor 2025.
Vendimi për të emëruar Barbanon u mor nga vendet anëtare të BE-së në Komitetin Politik dhe Siguri (KPS).
Ndërkaq, Këshilli së fundi e zgjati mandatin e misionit deri më 14 qershor 2025 dhe në përputhje me rishikimin e fundit strategjik të EULEX-it në Kosovë, vendosi që përveç vazhdimit të zbatimit të detyrave të tij, misioni do të ndihmojë autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës, duke zhvilluar kapacitetet e tyre për të shkëmbyer informacione me homologët rajonalë dhe ndërkombëtarë në fushën e asistencës ligjore dhe bashkëpunimit në çështjet penale.
EULEX Kosova filloi punën në vitin 2008 si misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i misionit të EULEX është të ndihmojë autoritetet e Kosovës në krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit, me fokus në fushën e policisë, gjyqësorit dhe doganave dhe përmes shtyllave të monitorimit dhe operacioneve.
Sipas mandatit aktual, EULEX-i ndërmerr aktivitete monitoruese dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive, duke përfshirë si reagues të nivelit të dytë të sigurisë.
Gjithashtu, EULEX-i vazhdon të mbështesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës. Misioni punon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
